DHL Express Termat dhe Kushtet e Transportit

("Termat dhe Kushtet")

Kur porosisni shërbimet e DHL, ju si “Dërgues”, në emrin tuaj dhe në emër të marrësit të Dërgesës (“Marrësi”) dhe të kujtdo tjetër që ka interes lidhur me këtë Dërgesë, bini dakord se këto Terma dhe Kushte do te zbatohen.

“Dërgesë” do të thotë të gjitha dokumentet ose pakot që dërgohen nën një fletëngarkesë (waybill) të vetme dhe e cila mund të transportohet me anë të çdonjërës prej mënyrave që zgjedh DHL, përfshirë transportin ajror, rrugor apo mënyrat e tjera të transportit. “Fletëngarkesa (waybill)” përfshin çdo identifikues të Dërgesës ose dokument të krijuar nga DHL ose nga sisteme të automatizuara të Dërguesit, të tilla si etiketë, barkod, faturë shoqëruese (waybill) ose shënime të dërgesës, si dhe çdo version elektronik të tyre. Çdo Dërgesë transportohet mbi bazën e përgjegjësisë së kufizuar, siç parashtrohet në këtë dokument. Nëse Dërguesi kërkon mbrojtje më të madhe, atëherë mund të ofrohet siguracion me një kosto shtesë. (Ju lutem shihni më poshtë për më shumë informacione). “DHL” nënkupton secili prej anëtarëve të rrjetit të DHL Express.

Për të ofruar shërbimet e saj, DHL mund të realizojë cilindo prej aktiviteteve në vijim në emër të Dërguesit ose të Marrësit: (1) të plotësojë dokumente, të korrigjojë kodet e produktit ose shërbimit dhe të parapaguajë çdo detyrim, tatim ose tarifë rregullatore të kërkuar në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi (“Detyrimet Doganore”), (2) të veprojë si agjent i vërtetë dhe legjitim i Dërguesit ose i Marrësit ose të caktojë një ndërmjetës doganor për të kryer kontrollin e eksporteve dhe zhdoganimin dhe (3) të ridrejtojë Dërgesën te ndërmjetësi doganor i Marrësit ose te një adresë tjetër, me kërkesë të çdo personi të cilin DHL, sipas opinionit të saj të arsyeshëm, e konsideron person të autorizuar. Dërguesi ose Marrësi do të sigurojë çdo autorizim shtesë që kërkohet nga legjislacioni i zbatueshëm për zhdoganimin e një Dërgese nga DHL.
Një Dërgesë konsiderohet e papranueshme nëse:
  • përmban armë zjarri ose municione të montuara, lëndë plasëse, pajisje plasëse ose kampione provë, pistoleta me ajër, kopje ose imitime të armëve të zjarrit; mallra të falsifikuara; para fizike; lingota (prej çfarëdolloj metali të çmuar); kafshë të gjalla, pjesë ose mbetje të ndaluara të kafshëve, të tilla si fildishi; mbetje njerëzore ose hi; gurë të çmuar ose gjysmë të çmuar të përpunuar; kanabis ose derivate të tij; ose mallra të jashtëligjshme, të tilla si lëndë narkotike ose droga të tjera të jashtëligjshme,
  • klasifikohet si material i rrezikshëm, mall i rrezikshëm, artikull i ndaluar ose i kufizuar nga ADR (Rregullorja Evropiane për Transportin Rrugor të Mallrave të Rrezikshme”) ose nga IATA (Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror), ICAO (Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil) apo nga organizata të tjera përkatëse (“Mallrat e Rrezikshme”),
  • përmban artikuj të tjerë që DHL nuk mund t’i transportojë në mënyrë të sigurt ose të ligjshme,
  • adresa është e pasaktë ose nuk është shkruar siç duhet ose paketimi është me defekt ose i papërshtatshëm për të garantuar transport të sigurt, sipas procedurës së zakonshme të administrimit të dërgesës,
  • Dërguesi, Marrësi ose çdo palë tjetër me interes të drejtpërdrejtë ose të tërthortë mbi Dërgesën është i renditur në ndonjë nga listat e sanksioneve në fuqi si palë e ndaluar ose e kufizuar.

Dërgesat nuk mund të dorëzohen në kutitë postare ose në kodet postare. Dërgesat dorëzohen në adresën e Marrësit që është dhënë nga Dërguesi, por jo domosdoshmërisht personalisht te Marrësi përkatës. Dërgesat për në adresat me një zonë qendrore marrëse do të dorëzohen në atë zonë.

DHL mund të njoftojë Marrësin për një dorëzim në ardhje apo një dorëzim që nuk është realizuar. Marrësit mund t'i ofrohen mundësi alternative dorëzimi, si p.sh. dorëzimi në një ditë tjetër, pa qenë nevoja për nënshkrim, ridrejtimi ose tërheqja e dërgesës në një Pikë Shërbimi të DHL.

Nëse Dërgesa konsiderohet e papranueshme sipas përshkrimit në pikën 2, nëse është nënvlerësuar për qëllime doganore, nëse Marrësi nuk mund të identifikohet në mënyrë të arsyeshme apo t'i përcaktohet vendndodhja, ose nëse Marrësi refuzon dorëzimin apo pagesën e detyrimeve doganore apo të tarifave të tjera për Dërgesën, atëherë DHL bën përpjekje të arsyeshme për ta kthyer Dërgesën te Dërguesi. Kjo bëhet me shpenzimet e Dërguesit. Nëse kthimi i Dërgesës nuk është i mundur, Dërgesa mund të lirohet, të braktiset, të shkatërrohet apo të shitet pa krijuar asnjë lloj përgjegjësie për Dërguesin ose këdo tjetër. DHL do të ketë të drejtën të shkatërrojë çdo Dërgesë kur ligji apo agjencitë ligjzbatuese nuk e lejojnë ta kthejë atë pjesërisht apo plotësisht te Dërguesi, si dhe çdo Dërgesë që përfshin Mallra të Rrezikshme.

DHL-ja ka të drejtë të hapë dhe të inspektojë një Dërgesë pa njoftim për arsye sigurie, dogane apo çdo arsye tjetër rregullatore.

Tarifat e DHL për Dërgesën përllogariten sipas peshës faktike ose volumetrike për copë, cilado qoftë më e madhe, dhe çdo copë mund të peshohet dhe matet sërish nga DHL për të konfirmuar këtë përllogaritje.

Marrësit mund t’i kërkohet të paguajë përpara dorëzimit detyrimet doganore dhe tarifat e tjera të detyrueshme të cilësuara në faqen e internetit të DHL në vendin marrës.

Këtu përfshihet një tarifë në rast se DHL përdor fondet e saj për ndërveprimet me Autoritetet Doganore apo paguan detyrimet doganore në emër të Marrësit. Dërguesi i paguan ose i rimburson DHL të gjitha detyrimet doganore dhe pagesat e tjera që i detyrohet për shërbimet e ofruara nga DHL ose që janë paguar nga DHL në emër të Dërguesit ose të Marrësit, nëse ky i fundit nuk e ka kryer pagesën.

6.1 Përgjegjësia e DHL-së në lidhje me çdo dërgesë të transportuar nga ajri (përfshirë transportin rrugor ndihmës apo ndalesat në rrugë) kufizohet sipas Konventës së Montrealit apo Varshavës siç është e zbatueshme, ose në mungesë të një Konvente të tillë , më të ultën e (i) vlerës aktuale të tregut ose vlerës së deklaruar , ose(ii) 22 Të Drejtave Speciale të Përcaktuara për kilogram (përafersisht 30.00 USD për kilogram). Të tilla kufizime do të aplikohen gjithashtu në të gjitha format e tjera të transportit, me përjashtim të rastit kur Dërgesat transportohen vetëm me transport rrugor kur kufizimet që aplikohen janë si me poshtë.

Për Dërgesat ndërkombetare të transportuara me transport rrugor përgjegjësia e DHL- së është ose do të konsiderohet e kufizuar sipas Konventës për Transportin Rrugor Ndërkombetar të Mallrave (CMR) në më të ultën e (i) vlerës aktuale të tregut ose vlerës së deklaruar, ose (ii) 8.33 Të Drejtave Speciale të Përcaktuara për kilogram (përafersisht 11.00 USD për kilogram).

Të tilla kufizime do të aplikohen gjithashtu në transportin kombëtar rrugor në mungesë të limiteve të detyrueshëm, ose në rastin e limiteve më të ulëta të përgjegjësisë në ligjin e aplikueshëm të transportit kombëtar. Nëse Dërguesi i konsideron këta kufij si të pamjaftueshëm, ai duhet të bëjë një deklaratë të veçantë të vlerës dhe të kërkojë siguracion siç përshkruhet në Seksionin 8 ose të bëjë vetë nga ana e tij rregullimet për sigurimin e Dërgesës.

Përgjegjësia e DHL-së kufizohet në mënyrë strikte ndaj humbjes dhe dëmtimit direkt të një Dërgese vetëm dhe në kufijtë për kilogram si në këtë Seksion 6. Të gjitha mënyrat e tjera të humbjes dhe dëmtimit përjashtohen (duke përfshirë por duke mos u kufizuar në fitimin e munguar, të ardhurat, interesin, biznesin e arrdhshëm), edhe nëse kjo humbje ose dëmtim është i veçantë, ose indirekt, edhe madje kur risku i një humbjeje apo dëmi të tillë ishte sjellë në vëmendjen e DHL.

6.2 DHL-ja do të bëjë çdo përpjekje të arsyeshme për ta dorëzuar Dërgesën sipas kohës normale të dorëzimeve të DHL-së, por këto dorëzime në kohë normale nuk janë detyruese dhe nuk janë pjesë e kontratës. DHL nuk mban përgjegjësi për ndonjë dëmtim ose humbje të shkaktuar nga vonesat, por për Dërgesa të caktuara, Dërguesi mund të pretendojë kompensim të kufizuar për vonesën sipas termave dhe kushteve të Garancisë së Kthimit të Pagesës (Money Back Guarantee).

Të gjitha pretendimet duhet t’i paraqiten me shkrim DHL-së brenda tridhjetë (30) ditësh nga data kur DHL-ja ka pranuar Dërgesën, në rast të kundërt DHL-ja nuk do të mbajë asnjë përgjegjësi. Pretendimet kufizohen në një pretendim për Dërgesë, zgjidhja e së ciles do të jetë zgjidhje përfundimtare dhe e plotë për të gjithë humbjen apo dëmtimin në lidhje me pretendimin.
DHL mund të mundësojë sigurim për humbjen ose dëmtimin e Dërgesës, duke mbuluar vlerën e plotë të mallrave, me kusht që të jetë udhëzuar me shkrim nga Dërguesi për këtë, duke përfshirë përmes plotësimit të seksionit të sigurimit në fletëngarkesë ose përmes përdorimit të sistemeve automatike të DHL, dhe të paguajë primin e aplikueshëm. Sigurimi i Dërgesës nuk mbulon humbjet ose dëmet indirekte apo humbjet ose dëmet e shkaktuara nga vonesat.
DHL nuk mban përgjegjësi për humbjet apo dëmet e shkaktuara nga rrethana që janë përtej kontrollit të saj. Këtu përfshihen, pa kufizim, dëmtimet elektrike ose magnetike apo fshirja e imazheve elektronike ose fotografive, të dhënave ose regjistrimeve; çdo defekt ose karakteristikë qe lidhet me natyrën e Dërgesës, edhe nëse DHL ka dijeni për të; çdo veprim ose mosveprim nga një person që nuk është i punësuar apo i kontraktuar nga DHL, si për shembull Dërguesi, Marrësi, pala e tretë, nëpunësi doganor apo një nëpunës tjetër publik; “Forca Madhore”, si për shembull, tërmetet, ciklonet, stuhitë, përmbytjet, mjegulla, luftërat, rrëzimet e avionëve, embargo, protestat, epidemitë, pandemitë, trazirat civile ose grevat sindikaliste.
Dërguesi dëmshpërblen dhe mban të padëmtuar DHL dhe drejtorët, nëpunësit, punonjësit dhe agjentët e saj nga të gjitha detyrimet, humbjet apo dëmtimet që shkaktohen nga mospërmbushja e deklarimeve dhe garancive të mëposhtme nga ana e Dërguesit:
  • Dërgesa është e pranueshme për transport sipas Seksionit 2 më sipër;
  • Dërgesa u përgatit në mjedise të sigurta nga personel i besueshëm dhe u mbrojt nga ndërhyrje të paautorizuara gjatë përgatitjes, magazinimit dhe transportimit për tek DHL;
  • Dërguesi ka vepruar në përputhje me të gjitha ligjet dhe rregulloret për kontrollin e eksporteve, sanksionet, doganat ose me kërkesa e kufizime të tjera rregullatore lidhur me importin, eksportin, transitin apo transferimin e mallrave,
  • Dërguesi i ka deklaruar DHL të gjitha mallrat me përdorim të dyfishtë apo mallrat ushtarake të kontrolluara, objekt i autorizimeve qeveritare, të cilat janë pjesë e Dërgesës,
  • Dërguesi ka siguruar të gjitha informacionet, lejet, licencat ose autorizimet dhe dokumentet e tjera qeveritare, siç kërkohet nga ligji në fuqi ose me kërkesë të DHL, dhe të gjitha informacionet, lejet, licencat ose autorizimet dhe dokumentet e tjera qeveritare të siguruara nga Dërguesi ose përfaqësuesit e tij janë autentike, të plota dhe të sakta, duke përfshirë vlerën dhe përshkrimin e mallrave, si dhe të dhënat e Dërguesit dhe të Marrësit,
  • në sigurimin e të dhënave personale për DHL, Dërguesi ka përmbushur detyrimet e tij ligjore për përpunimin dhe shkëmbimin e këtyre të dhënave, duke përfshirë informimin e individëve të prekur lidhur me faktin se për transportin, zhdoganimin dhe dorëzimin nevojiten të dhëna personale, duke përfshirë adresën e emailit dhe numrin e telefonit celular të Marrësit.
Dërguesi bie dakord me të gjitha intineraret dhe devijimet gjatë transportit, përfshirë mundësinë që Dërgesa mund të mbartet nëpërmjet vendeve, ndalesave të ndërmjetme.
Çdo mosmarrëveshje që buron nga këto Terma dhe kushte ose që lidhet me to do t'i nënshtrohet juridiksionit joekskluziv të gjykatave të shtetit të origjinës së Dërgesës dhe do të rregullohet nga ligji i po këtij të fundit, dhe Dërguesi i nënshtrohet në mënyrë të pakthyeshme këtij juridiksioni, përveçse kur kjo bie në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Pavlefshmëria ose pazbatueshmëria e ndonjë dispozite nuk do të cënojë pjesën tjetër të këtyre Termave dhe Kushteve.
E Vlefshme Shtator 1, 2021
Kthehuni në Krye