MyDHL+ Termat e Përdorimit

  1. DHL International (Albania) Ltd, Tirana-Durres Highway, Km 8, Tirana, Albania referuar në vijim si “DHL Express”, ofron një platformë në internet (referuar në vijim si “MyDHL+”) për klientët, qoftë si person fizik apo si person juridik ose si një punonjës që përfaqëson një biznes (referuar në vijim si “Klientët”), për të bërë biznes me DHL Express në mënyrën më praktike të mundshme, duke lejuar printimin e etiketave, programimin e tërheqjeve, ruajtjen e detajeve të kontaktit, gjurmimin e dërgesave, transmetimin e dokumenteve përkatëse dhe të të dhënave drejtpërdrejt nga kompjuterët e dërguesve, si dhe funksione të tjera lidhur me shërbimet e DHL Express (së bashku referuar si “Funksionet”).
  2. Këto terma zbatohen në lidhje me përdorimin e MyDHL+ dhe Funksioneve të saj nga ana e Klientit. Për sa u përket Funksioneve të caktuara, mund të zbatohen terma shtesë të cilat duhet të pranohen veçmas nga Klienti. Të gjitha shërbimet e transportit të ofruara nga DHL Express janë objekt i Termave dhe Kushteve të Transportit të DHL Express.
  3. Klienti duhet ta përdorë MyDHL+ vetëm për qëllimet lidhur me DHL Express të parashtruara në seksionin 1. Ato duhet të jenë në pajtueshmëri të plotë me këto Terma Përdorimi dhe me të gjitha udhëzimet lidhur me përdorimin e MyDHL+ dhe të Funksioneve. Klienti nuk lejohet (a) të ndryshojë, çaktivizojë apo të ndërhyjë në veçori, funksione apo komanda sigurie të MyDHL+ dhe të funksioneve të saj; (b) të anulojë, shmangë, kapërcejë, heqë, çaktivizojë apo anashkalojë në mënyra të tjera mekanizmat mbrojtës të MyDHL+ dhe të funksioneve të saj, ose (c) të deshifrojë, dekompilojë, zbërthejë apo përftojë kodin burimor, idetë bazë, algoritmet, strukturën ose formën organizative të MyDHL+ dhe të funksioneve të saj, ose (d) të japë hua, të lëshojë me qira financiare, të transferojë, huazojë ose rishpërndajë në forma të tjera MyDHL+ ose ndonjë prej Funksioneve të saj.
  4. Klienti që dëshiron të regjistrohet për përdorim të vazhdueshëm të MyDHL+ duhet të plotësojë të dhënat e kërkuara në fushën e regjistrimit. Duke dërguar një email aktivizimi DHL Express konfirmon regjistrimin dhe Funksionet mund të përdoren menjëherë më vonë.
  5. Në rastin e përdorimit të Funksionit “Krijoni një Dërgesë” oseProgramoni një Tërheqje””, krijimi i dërgesës ose i kërkesës për tërheqje në MyDHL+ nuk përbën kontratën e transportit. Kontrata e transportit do të lidhet vetëm pasi dërgesa të jetë dorëzuar dhe të jetë pranuar nga DHL Express.
  6. Klienti pranon që DHL Express është e lirë të modifikojë apo të ndërpresë, përkohësisht ose përgjithmonë, Funksionet e MyDHL+ ose t’i zëvendësojë ato me një Zgjidhje tjetër IT -je, sipas gjykimit të saj dhe në çdo kohë.
  7. DHL Express rezervon të drejtën e ndryshimit dhe/ose të kufizimit të përdorimit të çdo Funksioni dhe/ose Përmbajtjeje, në çdo kohë, në veçanti nëse (a) Funksionet dhe/ose Përmbajtja modifikohen ose ndërpriten ose nëse (b) Klienti ka shkelur Termat e Përdorimit të MyDHL+ ose (c) nëse nevojitet shërbime mirëmbajtjeje. Klienti bie dakord se DHL Express nuk mban përgjegjësi kundrejt Klientit apo kundrejt ndonjë pale të tretë për asnjë modifikim, pezullim apo ndërprerje të Funksioneve dhe/ose Përmbajtjes.
  8. Çdo tekst, grafik, ndërfaqe përdoruesi, bazë të dhënash, markë tregtare, logo dhe kod kompjuterik ("Përmbajtja"), duke përfshirë por pa u kufizuar me dizajnin, strukturën, përzgjedhjen, shprehjen, "paraqitjen dhe funksionimin" dhe organizimin e kësaj Përmbajtjeje në MyDHL+ zotërohet ose licencohet nga DHL Express dhe gëzon mbrojtje nga ligjet për të drejtën e autorit dhe markën tregtare, si dhe të drejtat e tjera të pronësisë intelektuale. Me përjashtim të sa parashikohet shprehimisht në këto Terma Përdorimi të MyDHL+, asnjë pjesë e MyDHL+ dhe asnjë Përmbajtje nuk mund të kopjohet, riprodhohet, ripublikohet, ngarkohet, transmetohet ose shpërndahet në asnjë lloj mënyre te një kompjuter, server, faqe interneti apo mjedis tjetër për publikim apo shpërndarje, pa pëlqimin paraprak me shkrim të DHL Express.
  9. Klienti i garanton DHL Express të drejtën e përdorimit të të gjitha të dhënave, dokumenteve apo informacioneve të tjera të transmetuara nga Klienti në MyDHL+, duke përfshirë kokën e letrës së kompanisë, nënshkrimet elektronike dhe PI të tjera të transferuara me to (“Informacioni”), për qëllimet e specifikuara te Funksionet. Këtu përfshihet përdorimi i Informacionit, për qëllime të përpunimit dhe transportit të dërgesave, duke përfshirë dërgesat e Tregtisë Elektronike. Klienti mban përgjegjësi dhe dëmshpërblen plotësisht DHL Express për çdo pretendim, humbje, dëm apo pasojë që mund të rezultojë nga përdorimi i Informacionit apo mbështetja në këtë të fundit.
  10. Klienti është përgjegjës për të gjitha aktivitetet e kryera nëpërmjet MyDHL+, duke përfshirë por pa u kufizuar me përdorimin e Funksionit të njoftimit, në përputhje me ligjet në fuqi, në veçanti ato për konkurrencën, për mbrojtjen e të dhënave dhe për doganat. Në veçanti, Klienti duhet të marrë pëlqimin e marrësve lidhur me marrjen e emaileve apo SMS-ve nga DHL Express ose çdo të dhëne, dokumenti ose informacioni tjetër në formë elektronike dhe, në përgjithësi, nga çdo palë e tretë, për të dhënat personale të zotëruara nga palët e treta dhe që Klienti ia ka dhënë DHL Express. Me kërkesë të DHL Express, Klienti duhet t'i sigurojë DHL Express dëshmi lidhur me dhënien e pëlqimit.
  11. Klienti duhet të përdorë Funksionet e ofruara të sigurisë, aktualisht eSecure, si dhe të ndjekë informacionet e sigurisë të vëna në dispozicion nga DHL Express në MyDHL+. Në veçanti, Klienti duhet t’i mbajë të fshehta lejet e përdorimit dhe të aksesit që i janë dhënë, t'i mbrojë ato nga aksesi i palëve të treta të paautorizuara dhe të mos i përhapë ato te përdorues të paautorizuar. Vetëm personat që kanë nevojë të aksesojnë MyDHL+ me qëllim përdorimin e Funksioneve në emër të Klientit autorizohen nga ky i fundit (“përdorues i autorizuar”). Klienti duhet të njoftojë përdoruesit e autorizuar rreth detyrimit të tyre dhe duhet të marrë prej tyre angazhimet përkatëse. Klienti pranon përgjegjësinë e vet lidhur me përdorimin e MyDHL+, gjithashtu edhe në lidhje me dërgesat që mund të kërkohen nga palët e treta përmes MyDHL+. Klienti bie dakord të njoftojë menjëherë DHL Express për çdo përdorim të paautorizuar të llogarisë apo fjalëkalimit të tij apo për çdo cenim tjetër të sigurisë.
  12. Klienti duhet të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për t'u siguruar që të mos transmetojë apo marrë viruse kompjuterike, karrema apo programe të tjera të çfarëdollojshme që mundet apo kanë për qëllim të dëmtojnë, shpronësojnë apo ndërhyjnë në një sistem, të dhënë apo informacion të çfarëdoshëm të DHL Express.
  13. Përveçse kur MyDHL+ ose Funksionet specifikojnë ndryshe, palët duhet t’i ofrojnë të gjitha Informacionet, duke përfshirë faturat, në mënyrë elektronike në MyDHL+. Klienti duhet të garantojë që të gjitha informacionet e transmetuara në DHL Express nëpërmjet MyDHL+ të jenë të plota, të sakta dhe të rregullta. Klienti do të jetë përgjegjësi i vetëm për çdo dëm apo pasojë që mund të rezultojë nga përdorimi i Informacioneve false, të pasakta ose të parregullta.
  14. Klienti pranon se DHL Express do të ketë kosto lidhur me përpunimin e porosive të transportit të bëra në MyDHL+ dhe se DHL Express mund t’i kërkojë Klientit kompensim në rastet kur Klienti nuk vijon me dërgesën për porositë e transportit në kohën e parashikuar të tërheqjes.
  15. DHL Express do të mbledhë, ruajë dhe përpunojë të dhënat personale të ofruara prej Klientit në MyDHL+ sipas nevojës për ofrimin e shërbimeve, në përputhje me ligjet e zbatueshme dhe Politikën e Privatësisë së të Dhënave të DHL Group. Informacionet e DHL lidhur me Privatësinë gjenden nën skedën “Deklarata e Privatësisë” në shënimet fundore të faqes së internetit. MyDHL+ mund të përmbajë link-e që të drejtojnë në faqe të tjera të palëve të treta të pavarura (“Faqet e lidhura”). Këto Faqe të Lidhura janë të pavarura nga DHL Express dhe DHL Express nuk mban përgjegjësi për to dhe nuk e përkrah përmbajtjen e tyre, përfshirë çdo informacion apo material që përfshihet në to. Klienti konfirmon se ka marrë autorizimin përkatës për çdo të dhënë personale të zotëruar nga palët e treta që ju i keni dhënë DHL.

    MyDHL+ dhe Funksionet ofrohen "siç janë". DHL Express përjashton, në masën maksimale të lejuar nga ligji, të gjitha garancitë, të shprehura apo të nënkuptuara, të një natyre ligjore ose të ndryshme, duke përfshirë, por pa kufizim garancitë e nënkuptuara të tregtueshmërisë, mosshkeljes së të drejtave të palëve të treta dhe të përshtatshmërisë për një qëllim të caktuar. DHL Express dhe filialet apo agjentët e saj nuk bëjnë deklarime dhe nuk japin garanci lidhur me saktësinë, plotësinë, sigurinë ose përpikërinë kohore të MyDHL+. Asnjë informacion i përftuar nëpërmjet MyDHL+ nuk përbën garanci nëse kjo garanci nuk deklarohet shprehimisht nga DHL Express në Termat e Përdorimit të MyDHL+.

  16. Në masën e parashikuar nga ligji, DHL Express, filialet ose agjentët e saj nuk mbajnë në asnjë rast përgjegjësi për dëme rastësore, të tërthorta, ekzemplare, ndëshkimore apo shkakësore, fitime të humbura, sanksione, gjoba ose dëme që vijnë nga humbja e të dhënave ose ndërprerja e biznesit ose që rezultojnë nga përdorimi ose pamundësia e përdorimit të MyDHL+, bazuar qoftë në garanci, kontratë, parashikime jashtëkontraktuale, shkelje ose teori tjetër ligjore, si dhe pavarësisht nëse DHL Express konsultohet ose jo lidhur me mundësinë për sa më sipër. Pa kufizuar sa më sipër, në masën e parashikuar nga ligji në fuqi, totali i detyrimeve të DHL Express për çdo dëm (të drejtpërdrejtë apo të tërthortë) ose humbje, pavarësisht formës së padisë apo pretendimit, qoftë kontraktual, jashtëkontraktual ose i një lloji tjetër, nuk e tejkalon shumën prej 100 EUR. Në masën e parashikuar nga ligji, zgjidhjet ligjore të parashtruara në Termat e Përdorimit të MyDHL+ janë shteruese dhe kufizohen vetëm në ato çka parashikohen shprehimisht në Termat e Përdorimit të MyDHL+.
  17. Klienti dëmshpërblen plotësisht DHL Express për çdo detyrim, kosto, kërkesë, shkak padie, dëm dhe shpenzim që rezulton nga ose që lidhet në çfarëdolloj forme me shkeljen nga ana e Klientit të ndonjë prej dispozitave të Termave të Përdorimit të MyDHL+.
  18. Palët mund të ndalojnë ose të pezullojnë përdorimin e MyDHL+ nga ana e Klientit, në çdo kohë, sipas gjykimit të tyre. Në rast të këtij ndalimi apo pezullimi, Klienti duhet (a) të reshti menjëherë së përdoruri MyDHL+ dhe (b) të fshijë çdo kopje që mund të ketë bërë. Klienti bie dakord se DHL Express nuk mban përgjegjësi kundrejt tij apo kundrejt ndonjë pale të tretë për asnjë ndalim apo pezullim të aksesit të Klientit në MyDHL+. Zgjidhja e kontratës lidhur me përdorimin e MyDHL+ nuk cenon porositë e bëra nëpërmjet MyDHL+ dhe as marrëveshjen e transportit në vetvete.
  19. DHL Express mund t'i rishikojë këto Kushte të Përdorimit të MyDHL+ në çdo kohë. DHL Express do të njoftojë Klientin për çdo ndryshim të Termave të Përdorimit të MyDHL+ në formë teksti (p.sh. me anë të platformës ose me email) ("njoftimi i ndryshimeve"). Ndryshimet do të hyjnë në zbatim kundrejt Klientit dhe marrëdhënia kontraktuale do të vazhdojë mbi bazën e kushteve të ndryshuara nëse Klienti nuk i kundërshton ndryshimet brenda (4) javëve pas marrjes së njoftimit për ndryshimet me anë të një njoftimi me shkrim për DHL Express. Ky afat do të konsiderohet se është respektuar për sa kohë që kundërshtimi i është komunikuar DHL Express brenda këtij afati kohor. Në njoftimin me shkrim të ndryshimeve, DHL Express do t'i specifikojë Klientit në veçanti pasojat e lartpërmendura të mosparaqitjes së kundërshtimeve.
  20. Këto Terma të Përdorimit të My DHL+ do të rregullohen nga ligjet e vendit ku ndodhet selia e subjektit kontraktues të DHL Express. Në rast se Klienti është një person fizik banues në një nga shtetet anëtare të BE, ligjet e sipërpërmendura janë të vlefshme në masën që këto ligje nuk bien ndesh me dispozitat e detyrueshme ligjore të shtetit anëtar të BE ku banon Klienti. Termat e Përdorimit të MyDHL+ nuk do të rregullohen nga Konventa e Kombeve të Bashkuara për Kontratat për Shitjen Ndërkombëtare të Mallrave, zbatimi i së cilës përjashtohet shprehimisht. Çdo mosmarrëveshje që lind si rezultat i kësaj marrëveshjeje do të jetë objekt i juridiksionit ekskluziv të gjykatave ku ndodhet selia e subjektit kontraktues të DHL Express.
Kthehuni në Krye